Është viti i dytë që për automjetet po aplikohet një skemë e re e vjeljes së taksave. Sipas vendimit përkatës të qeverisë, Taksa e Regjistrimit të Përvitshëm vilet gradualisht gjatë furnizimit me karburant, ndërsa e ashtuquajtura Taksë Vjetore e Qarkullimit Rrugor merret duke bërë përllogaritjet sipas një formule që do ta kishte zili edhe Hiigs, fizikanti parashikues i “grimcës së Zotit.”
Kjo formulë është produkt i disa termave të shprehura në numra si: cilindrata ose litërfuqia e motorrit, sic thuhet në gjuhën inxhinierike; Jetëgjatësia e automobilit në vite, përbri të cilit është një koeficient abstrakt; si dhe një numër i plotë, 25-a.
Automobilët e moshës një deri në tre vjet e kanë taksën zero, dhe pas moshës 25 vjecare, koeficienti korespondues i moshës rritet me 0.04, d.m.th. me katër përqind në vit (përpiqu t’i kuptosh se c’i ka lidhur shpikësit e kësaj formule me 25-sën, nënfishat dhe shumëfishat e tij).
Kjo e ka emrin përformancë e maskarallëkut fiskal që, për t’i shpëtuar zgavrës gjigande financiare te shkaktuar nga ultimatumi europian për të hequr taksat doganore dhe cmimet absurde të referencës për makinat e përdorura sajuan një maskarallëk tjetër ,një “formulë” të re të llogaritjes së taksës.
Për të parë se cfarë përfiton shteti padrejtësisht nga kjo formulë“magjike” po e ilustroj me një shembull të thjeshtë.
Një autoveture 4+1 –vende, me metodën e vjetër paguante 2,400 plus 10 mijë lekë taksa që, të mbledhura bashkë bëjnë 12 mijë e 400 lekë. (Autovetura tip TOYOTA, targë EL 5004 A, me Litërfuqi 2998 cm kub, prodhim i vitit 1993 ka paguar për vitin 2011 si më poshtë: 18 vite, të cilave në formulë i korespondon koeficienti 0.56. 0.56 x 2998 cm kub x 25 = 41 972 leke).
Këto para përdoruesi i paguan drejtpërdrejt në sportelet e drejtorive rajonale te transportit rrugor të cilat nuk të bëjnë asnjë shërbim po nuk ke paguar më parë këtë taksë.
Nëse i njëjti automjet do të punojë njëzet ditë në muaj duke përshkuar 100 km në ditë dhe duke harxhuar 10 litër karburant në 100 km, ai do të pershkonte 24 mijë km në vit dhe do te furnizohej me 2,400 litra karburant. Për cdo litër shteti merr 5 leke taksë dhe rezulton që, vetëm për efekt lëvizjeje nga autovetura në fjalë, shteti do të merrte përsëri 12 mijë lëkë, përafërsisht sa taksa e plotë vjetore përpara 2011.
Përfundimisht përdoruesi i autovetures, EL 5004 A, ka paguar për vitin 2011 shumën e barabartë me 53 mijë e 972 lekë ose katër herë e gjysëm më shumë se me metodën e vjetër).
I prirur t’ju shmangem interpretimeve emocionale logjike dhe ekonomike po përpiqem t’u mëshoj vetëm argumenteve teknike se cfarë abuzimi grotesk bën shteti me një veprim të tillë sa injorant aq edhe djallëzor.
Argument i shtetit është se makinat e vjetra kanë ndikim në mjedis.
Vallë, automjetet që blihen me zero kilometra nuk e kanë një ndikim të tillë? Mjedisi nuk është vetëm ajri por kryesisht rruga, dhe automjetet e reja kanë një bashkëveprim shumë më dinamik dhe “agresiv” me rrugën se makinat e amortizuara. Sipas teknicienëve të shtetit, makinat e reja nuk e ndotin ajrin, ndërsa makinat e vjetra po. Përvoja botërore e manifakturimit por edhe e përdorimit të automobilëve nuk e verteton këtë. Mjafton që në një automjet, edhe me dhjetra kilometra të përshkuara, të shkëputet një fije kandelete, një tub injektori, prishja e një sensori apo të defektohet marmida katalitike, gjëra të cilat ndodhin rëndom, dhe makina e re të bejë mjedisin më pis se një makinë e përdorur.
Industria automotive është gjigande dhe globale. Mjafton të specifikosh tipin e automjetit, vitin e prodhimit dhe numrin e identifikimit (shasisë) dhe kurdoherë i ke të siguruara të gjitha detalet, mekanizmat, agregatet dhe aksesorët për cdo makinë sado e moshuar të jetë.
Tani po klonohen organet e njeriut dhe as që bëhet fjalë për një vegël makine sado e ndërlikuar qoftë. Në cdo universitet ku merret edukimi inxhinierik, që në leksionet e para fillohet me një parim universal: Parimi i Shkëmbimit Rreciprok të Plotë. Ky parim universal nënkupton se, kudo që të jesh dhe kurdo që e kërkon, mund të mbash makinën të re sepse në cilëndo fabrikë, anembanë globit prodhohet ai detal që është prodhuar kur është bërë modeli i parë i makinës.
(Kam parë në Shtetet e Bashkuara në qarkullim makina të viteve tridhjetë, me mekanizma të hapura, të kombinuara dru dhe metal që preferoheshin ndoshta më shumë se prodhimet e viteve dymijë dhe, Amerika e njerëzvë të mencur nuk i rëndonte me taksa, përkundrazi i stimulonte).
Përsa i përket disa koeficientëve pa kuptim që përdoren në formulën e shpikur nga nëpunësit e devotshëm të shtetit tonë, kujtoj përgjigjen që na ka dhënë një profesor i nderuar kur e pyetëm se përse ka kaq shumë koeficientë në përllogaritjet konstruktive. “Koeficientët, pra edhe koeficienti i sigurisë s’është gjë tjetër vecse tregues i padies sonë. Ai meriton të quhet koeficienti i injorancës.”
Në pamundësi për të dhënë një formulë matematike, injorantët e devotshëm të shtetit kanë sajuar një palo formulë për të mbushur arkën e shpuar duke shtrydhur deri në palcë fukarenjtë që me ndihmën e njerëzve të afërt në emigracion kanë siguruar një makinë të përdorur dhe për të shmangur nga taksimi ata që marrin kredi për të blerë makina të reja.
Në një shtet funksional pagesa e taksave ku përfshihet edhe ajo për makinën, është një natyrë e dytë e qytetarit sepse ai shtetin e ka shërbëtor dhe jo hileqar, zhvatës të paskrupullt. Me aplikimin e taksës së re shteti ynë bën një hile të trashë. Edhe taksën e regjistrimit, edhe taksën e qarkullimit nga taksa fikse, sipas kapacitetit dhe tipit te automobilit i ka kthyer në taksa progresive. Ai, me këtë veprim arbitrar takson varfërinë dhe stimulon ata që i shohin hajrin lëvizjës me makina të shtrenjta të falura, të vjedhura ose të marra me kredi klienteliste, kryesisht nëpunësit dhe klientët e vet.
Efekti bumerang do të jetë i shpejtë dhe i dukshëm.
Përdoruesit e automjeteve të përdorura të cilëve rroga nuk u mjafton as për ushqim do t'u shmangen sporteleve të taksave deri në një mosbindje civile.
Si një qytetar normal i këtij vendi, unë nuk e dëshiroj dhe nuk e uroj një gjë të tillë, por, nëse vazhdojnë të shpërfillen institucionet e mirëfillta të dijes dhe të shkencë, Universitetin Politeknik, teknicienët e aftë që ka ende nëpër agjensitë shtetërore; dhe politika e taksave t’u besohet militantëve idiote, në ditët që vinë do të jemi dëshmitarë të gjërave të pakëndëshme.
Të taksosh varfërinë është pak që shtetit t’i thuash antishtet.
Ing. Dedë SHKURTI
No comments:
Post a Comment