Thursday, February 9, 2012

Siguri apo Mallkim?

Kujtdo që hyn në Tiranë nëpërmes  rrugës së Durrësit, ose del prej andej, i  bie në sy rëndom që  i gjithë segmenti,  nga korsitë hyrëse tek mbikalimi i Kamzës e deri tek Zogu i Zi,  është i mbushur me kokrriza xhamash të thyer,  me copa frexhosh, stopash e plastikë, të kuqe, të verdha, blu e të zeza. Ky është bilanci i dhjetra  “përplasjeve të vogla” të automjeteve,  të cilat nxitojnë qendrën e metropolit  por,   që nga dendësia e trafikut,  janë të detyruara të ecin në rreshta paralele dhe ku, normalisht, dikton një temp të ulët shpejtësie.

Raste të padëshiruara më kanë bërë të jem prezent në të tilla përplasje të cilat, në shumicën e rasteve, kalojnë në  sherre e deri në përleshje fizike. Është e kuptueshme, e deri në një farë mase e përligjëshme, ngarkesa psikologjike dhe nervore që shfaqet tek pjesëmarrësit e drejpërdrejtë në këto ”xing-e.” Por janë të pafalshme e  skandaloze fjalori rrugaç, kanosjet me mjete të forta “rrethanore” e sidomos ultimatumet financiare të tipit:  “Kaq qindmijëshe –cash-“ ose , “ja ku i ke çelesat,” dhe “nuk lëviz i gjallë prej këtij vendi!”

Banalitetin e skenës e shton prania e policit rrugor, i cili,  kur nuk ka lëndime në njerëz (në shumicën e rasteve këto përplasje janë pa lëndim), me një qetësi dhe indiferencë totale u thotë  të përplasurve: “Rregullohuni me njëri-tjetrin!” dhe vazhdon avazin e tij , të bëjë shenja me tabelë për të vazhduar lëvizja.

Kur këto pamje shfaqen jo më larg se vetëm dy-tre kilometra nga Sheshi Skënderbej, në prani të shefave, “task force-ve”, dhe kamerave,  mund të bëhet analogjia se,  çfarë mund të ndodhë diku më tutje, në periferi, apo në province e rrugë rurale.
Mendoj se vlen t’i mëshohet fort këtij argumenti për të nxjerrë në pah dy probleme tepër të mprehta që shoqërojnë  aktualitetin tonë jo vetëm rrugor.

E para. këto mikrondodhi në dukje,  janë zanafilla e batërdisë në aksidentet e trafikut rrugor e deri tek zënja e pusive dhe e hakmarrjeve me armë. Vetëm duke iu referuar statistikave zyrtare, vdekjet nga aksidentet rrugore, që duhen cilësuar si  “vrasje rrugore”,  (ligjvënësit italianë e kanë futur së fundmi këtë cilësim në kodin e tyre penal), janë sa katërmbëdhjetë  “Gërdecë” apo njëqind “21 Janarë”.

E dyta, në Shqipëri, duke filluar së pari nga INSIG-u, kemi të paktën tetë kompani të mëdha sigurimesh. Kjo do të thotë që, në aspektin ligjor,  ne  e kemi të siguruar jetën, shëndetin dhe pasurinë. Prej këndej,  nuk ka asnjë arsye t’i hakërrehemi njëri-tjetrit kur thyejmë fenerët, stopat apo pasqyrat e makinave. Meqenëse panorama në rrugë, jashtë saj por  edhe në zyra shfaqet krejt tjetër, ja vlen që  ky problem të analizohet pak më gjërësisht.

Ligji nr.10076, dt.12.02.2009 sanksionon  “Sigurimin e Detyrueshëm të Mbajtësve të Mjeteve për Përgjegjësinë Ndaj Palëve të Treta.”

Për këtë  është përpiluar dhe miratuar një Policë unike me cilësinë e një letre me vlerë të cilën duhet ta mbajë çdo automjet që qarkullon në rrugët e Republikës së Shqipërisë. Vlera e kësaj Police varion nga 11 mijë lekë për autoveturat deri në 40 mijë lekë për autobusët e shërbimit të udhëtarëve.

Zoti, fati dhe shteti, jo zotësia, puna dhe përkushtimi , çojnë cdo vit në xhepin e Kompanive të Sigurimeve shuma maramendëse parash,  pa u luajtur të ndenjurat nga karrikja. Ligji i  cituar më sipër parashikon që,  çdo i  dëmtuar,  posedues i  një fuqie motorike të shpërblehet,  pavarësisht se gjendet fajtor apo jo në kohën e përplasjes. 

Këtu fillon loja shkatërruese e nervave.

Është përpiluar një procedurë e stërgjatur veprimesh,  deklaratash, fotografimesh, procesverbalesh  e dëshmish,  ku veprimi  i  policisë është evaziv dhe çuditërisht u mëshohet raporteve miqësore (kjo nuk ndodh kurrë ose fare rrallë në mjedisin shqiptar). Përfundimisht,  në një përplasje të vogël , pa lëndime njerëzore;  ai që ka shpatulla më të dobëta detyrohet t’i paguajë cash  “të fortit” aq sa ia cakton ai vlerën e dëmit. Ndërsa dëmin që i është shkaktuar automjetit të vet,  për të cilin i ka paguar kompanisë së sigurimeve ai nuk e merr kurrë. Për të mos e absolutizuar “kurrën,“  ai  mund të marrë një pjesë të vogël të shumës,  pasi të jetë sorollatur me muaj të tërë dhe të shpenzojë sërish disa fishin e atyre që merr.

Pohimin e mësipërm e kam qindpërqind të vërtetuar në praktikën e Kompanisë Europiane në të cilën punoj si Inxhinier-Specialist Automjetesh. Kjo Kompani disponon dhjetra automjete  të reja, të marra me qera,  për të cilat u paguan Kompanive të Sigurimeve  edhe Policën e zakonëshme , T.P.L.,  por, edhe  siguracionin special “Kasko”. Në rastet e karamboleve dhe të dëmtimeve të tjera, raportet me këto kompani janë tepër të komplikuara, nervagricëse, dhe kur kjo ndodh  “institucionalisht me një kompani që ka vënë të zotin e punës”,  merreni me mend se ç’mund të bëjë një fakir shofer që “e ka zënë nata jashtë”.

E kam theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm për sigurinë rrugore se, bota e qytetëruar drejt së cilës jemi nisur të shkojmë,  ka modele ligjore të përsosura, me një zbatueshmëri praktike tepër të thjeshtë. Ngul këmbë se modeli amerikan është më i miri, për të cilin kam një histori përsonale dhe, në funksion të argumentit, po e paraqes shkurtimisht, pa kaluar në mërzi.

…Më duhej të ndërprisja një rrugë kryesore për t’u kthyer majtas. Pasi përdoruesit e rrugës kryesore u ndaluan dhe më dhanë të drejtë të kaloja, në korsinë e mesit,  të kufizuar me vijë të verdhë, një zonjushe vjen me shpejtesi dhe perplaset fort me mua. Në cast dëgjoj duartrokitje  dhe shoh të dilnin nga makinat e të vinin drejt nesh shumë drejtues mjetesh të ndaluar,  të cilët na përqafonin duke thënë. “Lavdi Zotit! Shpëtuat për mrekulli!” Për një moment e ndjeva veten komplet fajtor dhe kërkova të komunikoja diçka me vajzën e cila qante në makinën e saj dhe po i telefononte dikuj. 

Dy përdoruesit që më kishin dhënë të drejtë kalimi u afruan tek unë dhe më thanë të mos shqetësohesha se, ata do te dëshmonin vetë për atë çka panë,  përpara oficerit polic. Në këtë kohë policët kishin mbërritur  dhe pasi na uruan që në pamje të parë kishim shpëtuar pa pasoja, na pyetën se a kishim nevojë për ndihmë mjekësore dhe nëse jo, a ishim në gjendje të qëndronim diku, derisa të bënin egzaminimet. Trafikun e zhbllokuan pa patur nevojë për ne. 

Pas më pak se një gjysëm ore na thanë se raportin përfundimtar do ta merrnim pas pesë ditësh pranë gjykatës së Distriktit. Na pyetën se  a ishim në gjendje të shkonim vetë ne shtëpi apo duhej të na shoqëronin dhe,  a mund t’i lëviznim vetë makinat, apo këtë punë ta bënte policia.

Pas pesë ditësh , kur u paraqita në gjykatë për të marrë raportin, u lumturova se nuk isha unë fajtori, por  zonjusha që kishte shpërdoruar korsinë e qendrës, që , në Amerikë shërben si korsi emergjence. Në shtëpi, në kutinë time postare gjej një zarf të dërguar nga Shoqëria e Sigurimeve në të cilin kishte një Cek Pagese prej  pesëqind USD. Kjo përkonte me shumën vjetore  të pagesës që kisha bërë unë për siguracionin e makinës. Mësova gjithashtu se zonjushës, e cila u përplas me mua, dhe dispononte një Ford të ri, ia zevendësuan makinën me të njejtën gjendje derisa Dealer-i  t’i riparonte makinën e saj.

Çfarë vështirësie ka që një praktikë e tillë të zbatohet  edhe në Shqiperi? Kur do të marrë fund dukuria e shëmtuar që polici rrugor ndërhyn vetëm kur të shikon nga xhepat ose kur të pret fletën e gjobës?!

Për Kompanitë e Sigurimeve flitet shumë në botë. Për to ka shumë teori të ngritura konspiracioni, legjenda urbane e anekdota provincash. Unë nuk jam ithtar e as besues i tyre. Kjo gjë nuk më pengon të kem dyshime të forta, sidomos për transparencën e tyre. 

Thonë se ka një Byro Sigurimesh si biçim enti rregullator por, ky efekt rregullues dhe kontrollues nuk duket gjëkundi. Përdoruesit e automjeteve paguajnë siguracionin e detyruar dhe njëkohësisht , në prani e me ndërmjetësi të policit, mbahen peng dhe paguajnë gjobën e dëmit të shkaktuar, kur për të e ka paguar Kompaninë Siguruese.

Kjo nuk është siguri, ky është mallkim.

                                                                               Dedë SHKURTI

Friday, January 27, 2012

NJË PROPOZIM JO NAIV PAMUNDËSIE

Me ndjesinë e një qytetari normal, me interesa që shtrihen përtej një kufiri personal apo familjar, kam drojën se periudha e tranzicionit politik, ekonomik dhe shoqëror do të zgjasë më shumë se një çerek shekulli. Nga mënyra se si po progresojmë  në demokraci, në shtetndërtim dhe në ekonomi ka gjasa që, edhe pas 2017-ës, Shqipëria do të jetë në periferi të Europës.

Europa Atlantike na mori me “karrocë invalidi” dhe na anëtarësoi në NATO. Një “karrocë” e dytë për në Europën Komunitare do të na bënte karikaturë të fqinjit tonë jugor që kjo Europë bujare e mori në prehër  në vitet tetëdhjetë dhe vetëm pas tre dekadash ja “përmbysi djepin.”

Në këtë pistë, ku nga korsitë e tjera nuk na futen më  bryla dhe, çalë-çalë shohim larg të mjegulluar vijën e bardhë te finishit, në të cilën Juria i ka varur në qafë kronometrat, ja vlen t’i thërrasim mendjes për të përgatitur disa punë të perspektivës historike. Për këtë mendoj që, në kohën sa më të shpejtë të mundëshme, votuesit e Republikës së Shqipërisë të ftohen në një referendum ku, t’u japim përgjigje një grupi pyetjesh bazale për qenien dhe ardhmërinë tonë:

1. A duhet të ribëhet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë?
2. A duhet të zgjidhet nga populli apo nga Trupa Legjislative  Kryetari i Shtetit?
3. A duhet të ketë një apo dy dhoma Kuvendi i Shqiperisë?
4. A  duhet të kufizohet veprimtaria kryeqeverisëse në jo më shumë se dy mandate?
5. A duhet vendosur një sistem elektoral maxhoritar apo proporcional për zgjedhjen e Trupës Legjislative?

Pëgjigja rezultante do të qartësonte dhe do ta lehtësonte perspektivën e zhvendosjes sonë drejt një progresi të qëndrueshëm. Fizika, si cdo shkencë e “ftohtë” dhe egzakte na mëson  se energjia shndërrohet në dy forma: në nxehtësi dhe në lëvizje, d.m.th. punë mekanike. Prej shekujsh e kemi harxhuar energjinë tonë kombëtare duke e kthyer në nxehtësi, duke bërë më shumë sherre dhe duke u grindur me njëri-tjetrin sesa duke bërë progress në qytetërim.

Tek mundohem të përfytyroj mekanizmat dhe shtysat që do ta sendërtojnë këtë referendum, përpara më shfaqet e sapozbuluara, binjakja e tokës sonë, ”Kepler 22b,” jo shumë larg nesh, vecse gjashtëqind vjet dritë.

Presidentit aktual, të nderuarit zoti Topi, ja kanë bërë benë që nuk do ta lënë asnjë sekondë në karrike, sapo të mbarojë afati kushtetues. Kyretarët e maxhorancës dhe të opozitës nuk janë të interesuar të përfshihen  në aksione të tilla referendare dhe bëjnë “kalkulime transparente” se si t’ja hedhin njëri tjetrit në hapat apo sekondat e fundit. Akademia e Shkencave dhe pjesa tjetër e elitës shkencore është rrogëtare e qeverisë dhe nuk besoj ta prishë statusin e saj të mbijetesës. Shoqëria civile nuk e ka potencialin  dhe po përpëlitet që të pengojë plehrat me një referendum të tillë. Një lëvizje goxha e fuqishme  me emrin Aleanca Kuq e Zi mlodhi firmat për ligjin e regjistrimit te popullsisë, por institucionet që kishin detyrë kushtetuese  e sabotuan. Dy referendumet që janë bërë në periudhën e pluralizmit shqiptar kanë shtuar aq pikëpyetje  në seriozitetin dhe saktësinë e tyre saqë të gjithë “aksesorëet”që mund të vënë në lëvizje një lëvizje referendare janë të “shkrehur.”

Në këto kushte unë ngushëllohem se e lava shpirtin duke shprehur publikisht një ide që ngulmoj se e kam të drejtë, dhe mijëra të tjerë që mendojnë si unë, në pamundësi për t’u dendësuar në një forcë imponuese, lusim Zotin  nëse, violinat e Europës apo Amerikës  që prej dekadash luajnë simfoninë e qytetarisë dhe kushtetutshmërisë do të dridhin daullet e veshëve të shurdhuar të udhëheqësve tanë.
Koha është tani. Efemere dhe e pamëshirëshme ajo na mplak. Në vorbullën e një shekulli, më shumë kemi konsumuar sesa kemi bërë histori. Është e udhës që shteti shqiptar ta fillonte shekullin e dytë të jetës  duke shkruar në një letër të bardhë  Kontratën Shoqërore me popullin e vet. Ekuacionet e ngatërruara, me të cilat Europa na ka vënë në provë, na ndihmoi vetë t’i zgjidhim. Tani na ka dhënë një aritmetikë të thjeshtë, të dimë të mbledhim. Që ta bëjmë mirë këtë duhet gjetur emëruesi i përbashkët, gjëja më e vështirë e deritashme. 

Le të shpresojmë!

Wednesday, January 18, 2012

SIGURIA RRUGORE - SFIDA JONË E PËRBASHKËT

Siguria Rrugore është sot një nga problemet më të mprehta në botë. Referuar analizave më të fundit rezulton se në cdo njëzeteshtatë sekonda vdes një njeri dhe plagosen gjashtë të tjerë. Nga këta, shtatëdhjetë përqind u përkasin këmbësorëve dhe prej këtyre të fundit, tridhjetepesë përqind janë fëmijë.

Në një studim të ndërmarrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Universiteti i Harvardit dhe nga Banka Botërore se në cfarë renditjeje në “Ngarkesën e Sëmundshmërisë” zënë dëmtimet e jetës dhe të shëndetit nga përplasjet e trafikut rrugor, rezulton se, nëse në vitin 1990 ato renditeshin në vendin e dhjetë, në vitn 2020 do të zënë vendin e tretë.

Kostoja materiale e përplasjeve në rrugë ze nga një deri në tre përqind të Produktit Vjetor të Përgjithshëm Bruto.
Shkruesi i këtyre radhëve është Inxhinier Transporti i Industrisë Automotive, me përvojë si specialist dhe ekspert i sigurisë rrugore, ende aktiv në punë dhe në jetë. Detyrohet të “dalë fillimisht nëpër botë” për t’ju shmangur me sa mundet debateve shterpe, irracionale dhe politike që shfaqen publikisht sa herë kronika e zezë pushton ekranet tona mediatike për ngjarjet e pakëndëshme dhe fatale në rrugë.

Dhe nuk janë pak ngjarje të tilla.Kronika e zezë është e tejmbushur.

Mortet vazhdojmë t’i bëjmë si në kohën e Eskilit, me kuje e vaje, pavarësisht se vdekjen e kemi kërkuar në delir. Kemi marrë me para borxh makinat e vdekjes dhe kemi blerë nën dorë patentat si dëshmi për të shkuar në varr.
Në më pak se gjashtë orë në vendin tonë ndodh një përplasje e rëndë me makinë, në dy ditë vdesin tre njerëz dhe plagosen katër herë më shumë. Dëmtimet e pasurisë, megjithëse për to nuk ka ndonjë statistikë të saktë, hamendësohen në kufijtë dy deri në tre përqind të G.D.P.-së. 

Këto ndodhi fatale të kthyera tashmë në një rutinë janë në një shpërpjëstim të madh me legjislacionin tonë rrugor tejet voluminoz por vecse në letër. Prej trembëdhjetë vitesh kemi një Kod Rrugor si ligj themeltar të rrugës dhe sjelljes në rrugë, me qindra nene dhe faqe. Po aq e vëllimëshme është rregullorja në zbatim të këtij kodi. Ka më shumë se njëmijë shenja (sinjale) rrugore të standarte europiane (gjithëmonë, shumica në letër por jo në rrugë).

Shteti shqiptar, normalisht dhe logjikisht, e ka deleguar sigurinë rrugore në dy agjensi në pamje dhe strukturë shumë solide: Drejtoria e Policisë Rrugore dhe Drejtoria e Përgjithëshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
I parë në këtë këndvështrim problemi bëhët më i qartë si një ekuacion i shtruar për zgjidhje me tre ndryshore-variable.

Kemi rrugë automobilistike shumë më të mira se njëzet vjet më parë, përdorues automjetesh më të arsimuar në planin e përgjithshëm si dhe makina të markave më të mira e më të reja se në kohën e sistemit totalitar, gjë që nuk e përligjin shtimin drastik të numrit të aksidenteve.

Kemi një legjislacion rrugor integral, të kopsitur e të asistuar I cili, që në krye të herës, kur është përpiluar është menduar se do të zbatohet jo nga përpiluesit e shtetarët por nga nivelet e ulëta të përdoruesve të rrugës. Ajo që zbatohet por, që zbatohet në mënyrën më banale është pjesa repressive e ligjit, caktimi I gjobave nga policët e tipit “Koncert në vitin ‘36”.

Të dy agjensitë shtetërore të zbatimit të ligjit ose dy gardianët e sigurisë rrugore janë joeficente dhe nuk përmbushin detyrat sipas këtij legjislacioni.

Në fund të vitit që sapo u mbyll, Kodit Rrugor ju bë një arnim i mjerë që nuk pritet të ketë asnjë ndikim pozitiv në rritjen e sigurisë. E vetmja e mirë është se, kujdo që është i interesuar, i tregon qartë nivelin mediokër të ligjvënësve tanë.

Pyetja legjitime se, përse nuk i bëhet Kodit Rrugor një revizionim tërësor duke riformuluar parimet bazë të tij, duke precizuar funksionin, statusin dhe përgjegjësinë konkrete, me trgues të specifikuar e të kontrolluar të agjensive shtetërore, ka një shpjegim të thjeshtë.

Ligjvenësit jo vetëm si individë por edhe si institucione janë ndër përdoruesit më problematikë të rrugës. Sic u cilësua më lart, ata e konceptojnë ligjin për ta zbatuar të tjerët. Këtë pohim të pakëndshëm, nëse dikuj i duket me tepri, jam në gjendje ta provoj me qindra argument e prova te fotografuara e të filmuara dhe me dëshmi sy për sy.

Si individë, këta janë shoferë aspak profesional, të pamësuar, që u kanë shkuar patentat me zarf nëpër zyra, që nuk janë ulur kurrë në një autoshkollë të mësojnë ligjin e shkruar dhe të pashkruar, që nuk njohin rregullat elementare të sjelljes në rrugë, që nuk kanë hypur kurrë si kursantë ne një mjet mësimor e për rrjedhojë ata nuk kanë haberin ta fillojnë ditën si një përdorues rruge, si të nisen nga vendi, si të dalin nga një rrugë e dytë në një rrugë kryesore, si të japësh përparësi, si të ecesh në autokolonë apo si mund të nisesh nga shpejtësia zero në një të përpjetë. 

Qytetarët janë dëshmitarë të eskortave të dhunëshme, të autokarvaneve elektorale në ekstazë, të funksionarëve për të cilët semaforët kanë vetem një dritë, atë jeshile, të makinave me targë Z me xhama të zinj e drejtues kokëqethur me syze të zeza që e kanë marrë rrezikun në sy, që nuk parakalohen dhe ata me të cilët shkëmbehen jan hicër; me makina të dhuruara ose në shumë raste të sekuestruara që, s’e kanë për gjë të përplasen me ne, fakirfukarenjtë nëse nuk del nga karegjata t’u lëshosh rrugën.

Në këto rrethana ligjbërësve tanë nuk u intereson të nguten të bëjnë ligj kundër vetes së tyre. Fatkeqsisht, deputetët tanë dhe hierarkët e shtetit nuk e kuptojnë se “imuniteti rrugor” që i japin vetes, pa kushtetutë nuk është kurrë ekuivalent me sigurinë rrugore.

Aksidentet e ndodhura jo sporadike, me gishtërinj kryeministrash, me viktima të shkaktuara nga vetë ata dhe anëtarë të kabinetit, deputetë-viktima, prefektë-viktima e deri tek familjarë-viktima të drejtuesve të shtetit, tregon më së miri se Vdekja e Motërzuar e quajtur Pasiguri Rrugore Shqiptare nuk njeh hierarki dhe nuk përzgjedh viktima.

Në këtë dekor anarkie të trafikut rrugor ku, pothuajse të gjithë bëjnë atë që nuk duhet bërë dhe nuk bëjnë atë që duhet bërë, nga kullat e politikës shkëmbehen zjarre oratorie e batutash, të denja për cuba, të cilat fyejnë dhe përcudnojnë viktimat e mjera të aksidenteve.

Opozita duke e konsideruar veten jashtë përgjegjësisë gërmon në varrezat e sintaksës epitete dhe krahasime me emrat: Gërdec dhe Afganistan. Ajo spekullon në mënyrë të pamoralshme me humbjet e jetëve njerëzore në aksidentet që janë kryesisht rrjedhojë e gabimeve individuale njerëzore, për të cilat qeveria gjendet dorëjashtë më shumë se për cdo gjë tjetër. 

Herë pas here, në rolin që nuk i takon--të avokatit të pushtetit--kryepolici rrugor deklaron në kulmin e gjakderdhjes rrugore se aksidentet janë ulur duke marrë si “argument” rritjen krahasimisht të numrit të automjeteve. Aritmetikë dhe argument policësh.

Kjo domethënë që ne, qytetarët e thjeshtë, duhet të mësohemi se, nëse në një luftë janë vrarë mijëra njerëz më shumë se në luftën mëpërpararëshme, vdekshmëria është në rënje se, është rrritur me miliona numri i armëve; ose, pavarësisht se nëpër spitale vdesin me mijëra vetë, vdekshmëria është në ulje sepse është në rritje numri i shtretërve.

Duke bërë kujdes që dekorin gri të mos nxihet më shumë se është në të vërtetë, unë shpresoj dhe këmbëngul që situta e sigurisë në rrugë do dhe duhet të përmirësohet. Askush nuk e do veten të përfundojë viktimë nën rrotat e një makine.

Apeli im, apeli ynë, i inxhinierëve, i oficerëve-policë të kultivuar në shkolla të vërteta, i të gjithë teknicienëve ,managerëve dhe administruesve të përgjegjshëm është:

Pushtetmbajtës dhe pushtetkërkues të nderuar, lerini dokrrat politike, lereni sigurinë rrugore në dorë të teknicienëve. Jepuni atyre një ligj të përmirësuar në themel, betohuni se këtë ligj jeni ju të patët që do ta zbatoni dhe nëse e shkelni, ky ligj, juve të parët do t’ju ndëshkojë maksimalisht. Na krijoni hapësirën e nevojëshme dhe mjetet e mjaftueshme që të kërkojmë dhe të gjejmë modelin më të mirë në botë të organizimit, drejtimit dhe disiplinës së trafikut rrugor dhe të gjithë do të jemi deshmitarë të lumtur se siguria aq e dëshiruar do të rritet.
Modeli egziston dhe është plotësisht i implementueshëm në kushtet e vendit tonë.

Kam jetuar dhe punuar afro pesë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e di mirë se cfarë përgjegjësie ka kushdo që disponon një “Operator Driver License” dhe që drejton një automjet.

Të mos harrojmë se jo larg por, vetëm dyzet vjet më parë siguria rrugore në Shtetet e Bashkuara ka qenë tepër problematike, aksidentet kishin formën e një masakre rrugore në të ashtuquajturat “freeway” e deri në kryqezimet me semaforë.

Sipas ligjit amerikan, kundravajtjen (midemeanor) nga krimi (felony), e ndan një hap shumë i vogël. Konsiderohet krim nëse e tejkalon shpejtësinë më shumë se dhjetë milje nga kufiri i lejuar, nëse nuk respekton pikë për pikë tabelat në zonat e riparimit të rrugëve, nëse parakalon autobuzin e shkollës kur ai është i ndaluar në rrugë, nëse nuk ndalon stop dhe t’u japësh të drejtë fëmijëve të shkollës të kalojnë në këmbë rrugën, nëse udhëton pa patenë, nëse përdor alkol ose drogë apo je nën efektet e tyre gjatë ngarjes e mbi të gjitha, nëse nuk sillesh tepër korrekt me oficerin-polic. (në Amerikë nuk ka policë-kaptera, ka vetëm oficerë-policë).

Për të gjitha shkeljet të konsideruara krime polic-oficeri amerikan të urdhëron të dalësh nga makina, në të shumtën e rasteve me pistoletë të drejtuar nga ti, të mbështetesh duke shtrirë duart mbi kabinë, ku ai t’i kthen prapa dhe të vendos prangat. Brenda pak minutash, si kriminel i supozuar i rrugës përfundon në makinën e sherifit dhe prej aty, në burg.

Deri në nëntëdhjetë ditë është dënimi kur nuk ke plagosur ose vrarë ndonjë njeri.

Gjoba më e vogël është 80 dollarë dhe më e madhja është 180 dollarë. Për cdo shkelje, në rekord shënohen nga një deri në tre pikë. Kur tejkalohet masa e gjashtë pikëve të thërret Byroja e Shqyrtimit të Rekordeve dhe të shpon patentën duke ta bërë atë të pavlefshme. Fill pas kësaj je i thirrur në bashkinë e qytetit ku do të paguash një gjobë tjetër vjetore si një qytetar problematik për komunitetin. Të nesërmen, punëdhënësi të pret tek dera me cekun e pagesës në dorë për ditët që ke punuar, ndërpret kontratën e punës sepse nuk mund të mbajë një njeri problematik me trafikun. Siguracioni i rradhës për makinën ku, atje paguhet cdo muaj të vjen 50-60 përqind më i rritur.

Me policin amerikan mbaron punë në rrugë. Ai, nëse e sheh të nevojëshme vjen në gjykatë si dëshmitar. Ai mund t’i japë opinionin e tij gjykatësit për të të lehtësuar masën e dënimit nëse ti paraqet pendesë, por në asnjë rast nuk falet gjoba dhe pikët në rekord, të cilat duhen jo më pak se tre vjet për t’u shlyer.

Amerikanët do të ndjeheshin shumë më mirë të shkonin në burg për probleme jo rrugore se sa të kenë punë e biografi të prishur si shkelës të legjslacionit rrugor.

Kjo është fryma sipas së cilës duhet të fillojmë të ndryshojmë ne të gjithë, duke filluar nga legjislacioni rrugor e deri tek sjellja jonë individuale dhe komunitare. Si përdorues rruge duhet të përgatitemi herët a vonë të përballemi me këto dispozita dhe sanksione ligjore.

Makina mund të vrasë edhe më shumë se një pushkë. Leja për të ngarë një makinë është tepricë në liri. Është domosdoshmëri që, në emër të jetës, të sigurisë së saj e të shëndetit, me ligj të rreptë dhe të drejtë, kjo liri të kufizohet. Një liri rrugore e konturuar në ligj, një siguri rrugore më e madhe,kjo eshtë sfida jonë e përbashkët.
Nuk ka rrugë tjetër nëse duam një Siguri Rrugore të stabilizuar.

Dedë SHKURTI

Sunday, January 15, 2012

TAKSIMI I VARFËRISË OSE, INJORANCA, CINIZMI DHE MASKARALLËKU I SHTETIT

Është viti i dytë që për automjetet po aplikohet një skemë e re e vjeljes së taksave. Sipas vendimit përkatës të qeverisë, Taksa e Regjistrimit të Përvitshëm vilet gradualisht gjatë furnizimit me karburant, ndërsa e ashtuquajtura Taksë Vjetore e Qarkullimit Rrugor merret duke bërë përllogaritjet sipas një formule që do ta kishte zili edhe Hiigs, fizikanti parashikues i “grimcës së Zotit.”

Kjo formulë është produkt i disa termave të shprehura në numra si: cilindrata ose litërfuqia e motorrit, sic thuhet në gjuhën inxhinierike; Jetëgjatësia e automobilit në vite, përbri të cilit është një koeficient abstrakt; si dhe një numër i plotë, 25-a.

Automobilët e moshës një deri në tre vjet e kanë taksën zero, dhe pas moshës 25 vjecare, koeficienti korespondues i moshës rritet me 0.04, d.m.th. me katër përqind në vit (përpiqu t’i kuptosh se c’i ka lidhur shpikësit e kësaj formule me 25-sën, nënfishat dhe shumëfishat e tij). 

Kjo e ka emrin përformancë e maskarallëkut fiskal që, për t’i shpëtuar zgavrës gjigande financiare te shkaktuar nga ultimatumi europian për të hequr taksat doganore dhe cmimet absurde të referencës për makinat e përdorura sajuan një maskarallëk tjetër ,një “formulë” të re të llogaritjes së taksës.

Për të parë se cfarë përfiton shteti padrejtësisht nga kjo formulë“magjike” po e ilustroj me një shembull të thjeshtë. 

Një autoveture 4+1 –vende, me metodën e vjetër paguante 2,400 plus 10 mijë lekë taksa që, të mbledhura bashkë bëjnë 12 mijë e 400 lekë. (Autovetura tip TOYOTA, targë EL 5004 A, me Litërfuqi 2998 cm kub, prodhim i vitit 1993 ka paguar për vitin 2011 si më poshtë: 18 vite, të cilave në formulë i korespondon koeficienti 0.56. 0.56 x 2998 cm kub x 25 = 41 972 leke).

Këto para përdoruesi i paguan drejtpërdrejt në sportelet e drejtorive rajonale te transportit rrugor të cilat nuk të bëjnë asnjë shërbim po nuk ke paguar më parë këtë taksë. 

Nëse i njëjti automjet do të punojë njëzet ditë në muaj duke përshkuar 100 km në ditë dhe duke harxhuar 10 litër karburant në 100 km, ai do të pershkonte 24 mijë km në vit dhe do te furnizohej me 2,400 litra karburant. Për cdo litër shteti merr 5 leke taksë dhe rezulton që, vetëm për efekt lëvizjeje nga autovetura në fjalë, shteti do të merrte përsëri 12 mijë lëkë, përafërsisht sa taksa e plotë vjetore përpara 2011.

Përfundimisht përdoruesi i autovetures, EL 5004 A, ka paguar për vitin 2011 shumën e barabartë me 53 mijë e 972 lekë ose katër herë e gjysëm më shumë se me metodën e vjetër). 

I prirur t’ju shmangem interpretimeve emocionale logjike dhe ekonomike po përpiqem t’u mëshoj vetëm argumenteve teknike se cfarë abuzimi grotesk bën shteti me një veprim të tillë sa injorant aq edhe djallëzor. 

Argument i shtetit është se makinat e vjetra kanë ndikim në mjedis.

Vallë, automjetet që blihen me zero kilometra nuk e kanë një ndikim të tillë? Mjedisi nuk është vetëm ajri por kryesisht rruga, dhe automjetet e reja kanë një bashkëveprim shumë më dinamik dhe “agresiv”  me rrugën se makinat e amortizuara. Sipas teknicienëve të shtetit, makinat e reja nuk e ndotin ajrin, ndërsa makinat e vjetra po. Përvoja botërore e manifakturimit por edhe e përdorimit të automobilëve nuk e verteton këtë. Mjafton që në një automjet, edhe me dhjetra kilometra të përshkuara, të shkëputet një fije kandelete, një tub injektori, prishja e një sensori apo të defektohet marmida katalitike, gjëra të cilat ndodhin rëndom, dhe makina e re të bejë mjedisin më pis se një makinë e përdorur. 

Industria automotive është gjigande dhe globale. Mjafton të specifikosh tipin e automjetit, vitin e prodhimit dhe numrin e identifikimit (shasisë) dhe kurdoherë i ke të siguruara të gjitha detalet, mekanizmat, agregatet dhe aksesorët për cdo makinë sado e moshuar të jetë.

Tani po klonohen organet e njeriut dhe as që bëhet fjalë për një vegël makine sado e ndërlikuar qoftë. Në cdo universitet ku merret edukimi inxhinierik, që në leksionet e para fillohet me një parim universal: Parimi i Shkëmbimit Rreciprok të Plotë. Ky parim universal nënkupton se, kudo që të jesh dhe kurdo që e kërkon, mund të mbash makinën të re sepse në cilëndo fabrikë, anembanë globit prodhohet ai detal që është prodhuar kur është bërë modeli i parë i makinës.

(Kam parë në Shtetet e Bashkuara në qarkullim makina të viteve tridhjetë, me mekanizma të hapura, të kombinuara dru dhe metal që preferoheshin ndoshta më shumë se prodhimet e viteve dymijë dhe, Amerika e njerëzvë të mencur nuk i rëndonte me taksa, përkundrazi i stimulonte). 

Përsa i përket disa koeficientëve pa kuptim që përdoren në formulën e shpikur nga nëpunësit e devotshëm të shtetit tonë, kujtoj përgjigjen që na ka dhënë një profesor i nderuar kur e pyetëm se përse ka kaq shumë koeficientë në përllogaritjet konstruktive. “Koeficientët, pra edhe koeficienti i sigurisë s’është gjë tjetër vecse tregues i padies sonë. Ai meriton të quhet koeficienti i injorancës.”

Në pamundësi për të dhënë një formulë matematike, injorantët e devotshëm të shtetit kanë sajuar një palo formulë për të mbushur arkën e shpuar duke shtrydhur deri në palcë fukarenjtë që me ndihmën e njerëzve të afërt në emigracion kanë siguruar një makinë të përdorur dhe për të shmangur nga taksimi ata që marrin kredi për të blerë makina të reja. 

Në një shtet funksional pagesa e taksave ku përfshihet edhe ajo për makinën, është një natyrë e dytë e qytetarit sepse ai shtetin e ka shërbëtor dhe jo hileqar, zhvatës të paskrupullt. Me aplikimin e taksës së re shteti ynë bën një hile të trashë. Edhe taksën e regjistrimit, edhe taksën e qarkullimit nga taksa fikse, sipas kapacitetit dhe tipit te automobilit i ka kthyer në taksa progresive. Ai, me këtë veprim arbitrar takson varfërinë dhe stimulon ata që i shohin hajrin lëvizjës me makina të shtrenjta të falura, të vjedhura ose të marra me kredi klienteliste, kryesisht nëpunësit dhe klientët e vet.

Efekti bumerang do të jetë i shpejtë dhe i dukshëm.

Përdoruesit e automjeteve të përdorura të cilëve rroga nuk u mjafton as për ushqim do t'u shmangen sporteleve të taksave deri në një mosbindje civile. 

Si një qytetar normal i këtij vendi, unë nuk e dëshiroj dhe nuk e uroj një gjë të tillë, por, nëse vazhdojnë të shpërfillen institucionet e mirëfillta të dijes dhe të shkencë, Universitetin Politeknik, teknicienët e aftë që ka ende nëpër agjensitë shtetërore; dhe politika e taksave t’u besohet militantëve idiote, në ditët që vinë do të jemi dëshmitarë të gjërave të pakëndëshme. 

Të taksosh varfërinë është pak që shtetit t’i thuash antishtet.

Ing. Dedë SHKURTI

Saturday, January 7, 2012