Thursday, February 9, 2012

Siguri apo Mallkim?

Kujtdo që hyn në Tiranë nëpërmes  rrugës së Durrësit, ose del prej andej, i  bie në sy rëndom që  i gjithë segmenti,  nga korsitë hyrëse tek mbikalimi i Kamzës e deri tek Zogu i Zi,  është i mbushur me kokrriza xhamash të thyer,  me copa frexhosh, stopash e plastikë, të kuqe, të verdha, blu e të zeza. Ky është bilanci i dhjetra  “përplasjeve të vogla” të automjeteve,  të cilat nxitojnë qendrën e metropolit  por,   që nga dendësia e trafikut,  janë të detyruara të ecin në rreshta paralele dhe ku, normalisht, dikton një temp të ulët shpejtësie.

Raste të padëshiruara më kanë bërë të jem prezent në të tilla përplasje të cilat, në shumicën e rasteve, kalojnë në  sherre e deri në përleshje fizike. Është e kuptueshme, e deri në një farë mase e përligjëshme, ngarkesa psikologjike dhe nervore që shfaqet tek pjesëmarrësit e drejpërdrejtë në këto ”xing-e.” Por janë të pafalshme e  skandaloze fjalori rrugaç, kanosjet me mjete të forta “rrethanore” e sidomos ultimatumet financiare të tipit:  “Kaq qindmijëshe –cash-“ ose , “ja ku i ke çelesat,” dhe “nuk lëviz i gjallë prej këtij vendi!”

Banalitetin e skenës e shton prania e policit rrugor, i cili,  kur nuk ka lëndime në njerëz (në shumicën e rasteve këto përplasje janë pa lëndim), me një qetësi dhe indiferencë totale u thotë  të përplasurve: “Rregullohuni me njëri-tjetrin!” dhe vazhdon avazin e tij , të bëjë shenja me tabelë për të vazhduar lëvizja.

Kur këto pamje shfaqen jo më larg se vetëm dy-tre kilometra nga Sheshi Skënderbej, në prani të shefave, “task force-ve”, dhe kamerave,  mund të bëhet analogjia se,  çfarë mund të ndodhë diku më tutje, në periferi, apo në province e rrugë rurale.
Mendoj se vlen t’i mëshohet fort këtij argumenti për të nxjerrë në pah dy probleme tepër të mprehta që shoqërojnë  aktualitetin tonë jo vetëm rrugor.

E para. këto mikrondodhi në dukje,  janë zanafilla e batërdisë në aksidentet e trafikut rrugor e deri tek zënja e pusive dhe e hakmarrjeve me armë. Vetëm duke iu referuar statistikave zyrtare, vdekjet nga aksidentet rrugore, që duhen cilësuar si  “vrasje rrugore”,  (ligjvënësit italianë e kanë futur së fundmi këtë cilësim në kodin e tyre penal), janë sa katërmbëdhjetë  “Gërdecë” apo njëqind “21 Janarë”.

E dyta, në Shqipëri, duke filluar së pari nga INSIG-u, kemi të paktën tetë kompani të mëdha sigurimesh. Kjo do të thotë që, në aspektin ligjor,  ne  e kemi të siguruar jetën, shëndetin dhe pasurinë. Prej këndej,  nuk ka asnjë arsye t’i hakërrehemi njëri-tjetrit kur thyejmë fenerët, stopat apo pasqyrat e makinave. Meqenëse panorama në rrugë, jashtë saj por  edhe në zyra shfaqet krejt tjetër, ja vlen që  ky problem të analizohet pak më gjërësisht.

Ligji nr.10076, dt.12.02.2009 sanksionon  “Sigurimin e Detyrueshëm të Mbajtësve të Mjeteve për Përgjegjësinë Ndaj Palëve të Treta.”

Për këtë  është përpiluar dhe miratuar një Policë unike me cilësinë e një letre me vlerë të cilën duhet ta mbajë çdo automjet që qarkullon në rrugët e Republikës së Shqipërisë. Vlera e kësaj Police varion nga 11 mijë lekë për autoveturat deri në 40 mijë lekë për autobusët e shërbimit të udhëtarëve.

Zoti, fati dhe shteti, jo zotësia, puna dhe përkushtimi , çojnë cdo vit në xhepin e Kompanive të Sigurimeve shuma maramendëse parash,  pa u luajtur të ndenjurat nga karrikja. Ligji i  cituar më sipër parashikon që,  çdo i  dëmtuar,  posedues i  një fuqie motorike të shpërblehet,  pavarësisht se gjendet fajtor apo jo në kohën e përplasjes. 

Këtu fillon loja shkatërruese e nervave.

Është përpiluar një procedurë e stërgjatur veprimesh,  deklaratash, fotografimesh, procesverbalesh  e dëshmish,  ku veprimi  i  policisë është evaziv dhe çuditërisht u mëshohet raporteve miqësore (kjo nuk ndodh kurrë ose fare rrallë në mjedisin shqiptar). Përfundimisht,  në një përplasje të vogël , pa lëndime njerëzore;  ai që ka shpatulla më të dobëta detyrohet t’i paguajë cash  “të fortit” aq sa ia cakton ai vlerën e dëmit. Ndërsa dëmin që i është shkaktuar automjetit të vet,  për të cilin i ka paguar kompanisë së sigurimeve ai nuk e merr kurrë. Për të mos e absolutizuar “kurrën,“  ai  mund të marrë një pjesë të vogël të shumës,  pasi të jetë sorollatur me muaj të tërë dhe të shpenzojë sërish disa fishin e atyre që merr.

Pohimin e mësipërm e kam qindpërqind të vërtetuar në praktikën e Kompanisë Europiane në të cilën punoj si Inxhinier-Specialist Automjetesh. Kjo Kompani disponon dhjetra automjete  të reja, të marra me qera,  për të cilat u paguan Kompanive të Sigurimeve  edhe Policën e zakonëshme , T.P.L.,  por, edhe  siguracionin special “Kasko”. Në rastet e karamboleve dhe të dëmtimeve të tjera, raportet me këto kompani janë tepër të komplikuara, nervagricëse, dhe kur kjo ndodh  “institucionalisht me një kompani që ka vënë të zotin e punës”,  merreni me mend se ç’mund të bëjë një fakir shofer që “e ka zënë nata jashtë”.

E kam theksuar edhe në një shkrim të mëparshëm për sigurinë rrugore se, bota e qytetëruar drejt së cilës jemi nisur të shkojmë,  ka modele ligjore të përsosura, me një zbatueshmëri praktike tepër të thjeshtë. Ngul këmbë se modeli amerikan është më i miri, për të cilin kam një histori përsonale dhe, në funksion të argumentit, po e paraqes shkurtimisht, pa kaluar në mërzi.

…Më duhej të ndërprisja një rrugë kryesore për t’u kthyer majtas. Pasi përdoruesit e rrugës kryesore u ndaluan dhe më dhanë të drejtë të kaloja, në korsinë e mesit,  të kufizuar me vijë të verdhë, një zonjushe vjen me shpejtesi dhe perplaset fort me mua. Në cast dëgjoj duartrokitje  dhe shoh të dilnin nga makinat e të vinin drejt nesh shumë drejtues mjetesh të ndaluar,  të cilët na përqafonin duke thënë. “Lavdi Zotit! Shpëtuat për mrekulli!” Për një moment e ndjeva veten komplet fajtor dhe kërkova të komunikoja diçka me vajzën e cila qante në makinën e saj dhe po i telefononte dikuj. 

Dy përdoruesit që më kishin dhënë të drejtë kalimi u afruan tek unë dhe më thanë të mos shqetësohesha se, ata do te dëshmonin vetë për atë çka panë,  përpara oficerit polic. Në këtë kohë policët kishin mbërritur  dhe pasi na uruan që në pamje të parë kishim shpëtuar pa pasoja, na pyetën se a kishim nevojë për ndihmë mjekësore dhe nëse jo, a ishim në gjendje të qëndronim diku, derisa të bënin egzaminimet. Trafikun e zhbllokuan pa patur nevojë për ne. 

Pas më pak se një gjysëm ore na thanë se raportin përfundimtar do ta merrnim pas pesë ditësh pranë gjykatës së Distriktit. Na pyetën se  a ishim në gjendje të shkonim vetë ne shtëpi apo duhej të na shoqëronin dhe,  a mund t’i lëviznim vetë makinat, apo këtë punë ta bënte policia.

Pas pesë ditësh , kur u paraqita në gjykatë për të marrë raportin, u lumturova se nuk isha unë fajtori, por  zonjusha që kishte shpërdoruar korsinë e qendrës, që , në Amerikë shërben si korsi emergjence. Në shtëpi, në kutinë time postare gjej një zarf të dërguar nga Shoqëria e Sigurimeve në të cilin kishte një Cek Pagese prej  pesëqind USD. Kjo përkonte me shumën vjetore  të pagesës që kisha bërë unë për siguracionin e makinës. Mësova gjithashtu se zonjushës, e cila u përplas me mua, dhe dispononte një Ford të ri, ia zevendësuan makinën me të njejtën gjendje derisa Dealer-i  t’i riparonte makinën e saj.

Çfarë vështirësie ka që një praktikë e tillë të zbatohet  edhe në Shqiperi? Kur do të marrë fund dukuria e shëmtuar që polici rrugor ndërhyn vetëm kur të shikon nga xhepat ose kur të pret fletën e gjobës?!

Për Kompanitë e Sigurimeve flitet shumë në botë. Për to ka shumë teori të ngritura konspiracioni, legjenda urbane e anekdota provincash. Unë nuk jam ithtar e as besues i tyre. Kjo gjë nuk më pengon të kem dyshime të forta, sidomos për transparencën e tyre. 

Thonë se ka një Byro Sigurimesh si biçim enti rregullator por, ky efekt rregullues dhe kontrollues nuk duket gjëkundi. Përdoruesit e automjeteve paguajnë siguracionin e detyruar dhe njëkohësisht , në prani e me ndërmjetësi të policit, mbahen peng dhe paguajnë gjobën e dëmit të shkaktuar, kur për të e ka paguar Kompaninë Siguruese.

Kjo nuk është siguri, ky është mallkim.

                                                                               Dedë SHKURTI